Thirrje për aplikime: “BOTA E ORGANIZATAVE STUDIMORE (THINK TANKS) – KONSOLIDIMI I KAPACITETEVE TË KOMUNITETIT TË STUDIUESVE”

Thirrje për aplikime

Edicioni i II-të i Leksioneve të Hapura:

“Bota e organizatave studimore (think tanks) – Konsolidimi i kapaciteteve të komunitetit të studiuesve”

Pas një përvoje pozitive në vitin 2011, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung dhe OSI Think Tank Fund organizojnë edicionin e II-të të leksioneve të hapura:

Bota e organizatave studimore (think tanks) Konsolidimi i kapaciteteve të komunitetit të studiuesve të rinj


Kjo iniciativë është konceptuar në formën e një serie leksionesh që ndërthurin aspektet teorike dhe praktike të veprimtarisë së organizatave studimore (think tank) jo-qeveritare si edhe të fokusit të tyre në kërkimin shkencor dhe të aplikuar. Synimi i kësaj nisme është konsolidimi i kapaciteteve të komunitetit të studiuesve të rinj dhe nxitja e përfshirjes së tyre në veprimtarinë e shoqërisë civile nëpërmjet ndarjes së përvojës dhe përqasjeve të organizatave studimore jo-qeveritare (think tanks).

Në këtë kuadër, leksionet e hapura do të fokusohen në fusha të tilla si: mirë-qeverisja, politikë-bërja, procesi i integrimit në BE, bashkepunimi me mediat, advokimi etj. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet gjithashtu edhe aspekteve praktike të punës së organizatave studimore si – organizimi dhe menaxhimi i tyre, marrëdhëniet me grupet e interesit, institucionet & aktorët e synuar, dhe publiku i gjerë, si edhe hartimi, zbatimi, monitorimi dhe vlerësimi i programeve dhe projekteve të tyre. Leksionet do të mbahen nga ekspertë të IDM, përfaqësues të organizatave studimore në Shqipëri dhe përfaqësues të komunitetit të donatorëve.

Çertifikatë pjesëmarrje – do të jepet në përfundim të serisë së leksioneve për pjesëmarrësit që kanë ndjekur ciklin e plotë të leksioneve.

Kush mund të aplikojë:

Studentët e universiteteve publike dhe private, që kanë mbaruar ose janë duke ndjekur aktualisht nivelin e studimeve Master (një ose dy vjeçar) në shkencat sociale dhe humane.

Afati i aplikimit

2 Mars 2012 ora 17:00.

Mënyra e aplikimit:

Ju lutem dërgoni një kopje të CV-së tuaj në adresën: idm@idmalbania.org

Seria e parë e leksioneve në edicionin e dytë të iniciativës do të mbahet në periudhën 3 Mars – 30 Qershor 2012.