Shqip
English
Sa i sigurt është njeriu në Shqipëri!
Shqip 3 Gusht 2010, Nga Mariola Qesaraku
Në vazhdën e aksidenteve dhe fatkeqësive që kohët e fundit po cënojnë në mënyrë konstante sigurinë njerëzore, me pasoja humbje te shumëfishta të jetës, mund të sjellim shembuj të shumte. Rastet variojnë që nga vrasjet me armë për shkak të konflikteve në familje e në komunitet, gjakmarrja, konflikte për pronën, vetëvrasjet, e deri tek humbja e jetës në vendin e punës apo nga pakujdesia ose neglizhenca e personelit mjekësor etj. Situata bëhet edhe më e rëndë kur flasim për rritjen marramendëse të aksidenteve automobilistike (numrin më të lartë në Europë), siç ishte rasti i fundit në Gjegjan ku humbën jetën 14 persona apo qindra aksidente nga mosrespektimi flagrant i ligjit të cilat mund të evitoheshin.
Statistikat vendore të INSTAT-it apo Policisë së Shtetit por edhe të organizatave ndërkombëtare si të Bankës Botërore dhe OBSH-së, vënë në dukje gjendjen kritike në të cilën ndodhet siguria njerëzore në Shqipëri (në 2009 humbën jetën në rrugë 334 persona, në vendin e punës 29 persona, nga krimi në familje 16 persona, për motiv pronësie 6 vrasje, për motive të dobëta 52 vrasje, për gjakmarrje 1 vrasje, etj). Këto të dhëna i përkasin vetëm atyre me pasojë vdekjen por nëse kemi parasysh personat e gjymtuar apo me pasoja të rënda për shëndetin, statistikat bëhen edhe më shqetësuese. Këto statistika tregojnë se humbjet njerëzore në Shqipëri janë të ngjashme me ato të një bilanci lufte.
Po të shohim në veçanti faktin se megjithëse në vite siguria në qarkullimin rrugor, ka ardhur duke u përkeqësuar, institucionet në mos kanë qenë tolerante ndaj këtyre shifrave, janë shfaqur të paafta për të ndërmarrë masa efikase. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë rezultate aksioni i fundit i qeverisë për rritjen e gjobave ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, sepse dihet që këto lloj masash nuk janë të suksesshme nëse nuk janë të kombinuara edhe me elementë të tjerë (si për shembull implementimi i tyre në terren pa dallim për të gjithë llojet e shkelësve, vendosja e sinjalistikës së duhur nëpër rrugë, mbi-kalime e nënkalime në zonat e banuara etj).
Duke parë këtë situatë, politikë-bërësit e vendit duhet të reflektojnë dhe veprojnë në mënyrë më gjithëpërfshirëse për të adresuar këtë problem dhe ulur bilancin e përgjakshëm që ka pllakosur vendin tonë. Sigurisë njerëzore duhet që t’i kushtohet një vëmendje më e madhe duke ndërmarrë jo vetëm iniciativa ligjore ose masa administrative të pa harmonizuara, por duke e përfshirë atë si një nga elementët thelbësorë të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, gjatë procesit të rishikimit të saj.
Sigurisht që sfidë mbetet edhe implementimi i asaj çka strategjia do të parashikonte për përmirësimin e sigurisë njerëzore në nivelin e standardeve të vendeve të BE-së, ku jeta e njeriut është një nga politikat qendrore. Kjo është qasja që qeveria dhe strukturat e tjera shtetërore duhet të ndjekin për të garantuar realisht sigurinë e jetës së njerëzve, çka do të rriste besimin e qytetarëve ndaj saj.
Por ky është një proces në të cilin edhe shoqëria civile dhe media duhet të jenë të përfshira dhe të japin kontributin e tyre si në hartimin e strategjisë ashtu dhe në zbatimin e saj me qëllim rritjen e ndjeshmërisë se opinionit publik por dhe për të ushtruar presion mbi institucionet për t’i dhënë vendin e duhur kësaj çështjeje madhore.
Nga ana tjetër vetë qytetarët duhet të jenë më pjesëmarrës dhe aktive për të kontribuar në identifikimin e problematikave të sigurisë njerëzore, por sidomos në respektimin e legjislacionit.


Add new comment