Shqip
English
Ngjarjet pa lajm për qeverisjen dhe integrimin
Gjergji Vurmo
Takimi i tretë i Këshillit të Stabilizim Asocimit në Bruksel, deklarata e përbashkët e Komisionerit Fule dhe Baroneshës Ashton e ndjekur nga një “reply-to-all” e shefit të opozitës dhe “no-reply” e shefit të maxhorancës, apo takimi i Ambasadorit të BE me Presidentin janë disa nga ngjarjet pa lajm për integrimin që paraprinë pushimet verore të politikës shqiptare.
Duket se lajmet e mira për procesin e integrimit (por jo vetëm) do të vonojnë përtej Vjeshtës pavarësisht angazhimeve të mjegullta të politikës për t’iu përgjigjur 12 prioriteteve të opinionit të KE dhe kjo, për dy apo tre arsye kryesore. E para, sepse këto angazhime të politikës që në krye të herës po bëhen në vendin e gabuar– në Bruksel, mes kundërshtarësh që s’gjejnë shërim tek ndërmjetësimi dhe jo në Tiranë midis partnerësh që punojnë për objektiva madhorë. Së dyti, angazhimet mesa duket po premtohen edhe me synimin e gabuar – justifikimi i gabimeve e makutërisë së shkuar dhe mundësimi i atyre të radhës. Dhe së fundi, sepse këto angazhime i referohen në rastin më të mirë vetëm 12 prioriteteve për të marrë statusin e vendit kandidat dhe jo një sistemi të plotë reformash dhe praktike të politikëbërjes që sigurojnë përgjegjshmërinë e qeverisjes dhe shohin përtej rrugëtimit drejt BE....ose më saktë, drejt një praktike demokratike të mirëfunksionimit të shtetit ligjor.
Demokracisë, funksionalitetit të institucioneve, zhvillimit dhe vetë procesit të integrimit europian të vendit në këto dy vjet u ka munguar qeverisja dhe përgjegjshmëria e aktorëve politikë të cilët fatkeqësisht ndihen më komodë me refuzimin që i bëjnë tërësisë së elementëve të këtyre koncepteve (tek ne, ende teorikë). Qeverisja si koncept dhe praktikë e demokracive funksionale nuk kufizohet tek “akti i të qeverisurit nga maxhoranca politike” dhe rrjedhimisht edhe principi i përgjegjshmërisë së aktorëve vendimmarrës politikë duhet të përthyhet në të gjithë spektrin e politikës së cilës zgjedhësit i kanë dhënë të drejtën e përfaqësimit në sistemin e qeverisjes. Pikërisht për këtë koncept të sistemit të qeverisjes, qytetarët në një demokraci funksionale bëjnë zgjedhjen e tyre nëpërmjet mekanizmave demokratikë si zgjedhjet lokale e të përgjithshme, referendumet etj. Kjo zgjedhje e qytetarëve i referohet një sistemi të qeverisjes i cili është më i gjerë sesa ekzekutivi dhe përfshin një mori aktorësh që ndërveprojnë me njëri-tjetrin në bazë të parimeve si përgjegjshmëria, llogaridhënia, transparenca, konsensusi, pjesëmarrja etj. të cilat të gjitha së bashku mundësojnë “mirë-qeverisjen” (good governance). Në thelb, zgjedhja e qytetarëve një herë në katër vjet nuk autorizon maxhorancën politike të bëjë ç’të dojë, por u ngarkon përgjegjësinë të gjithë aktorëve politikë (në pozitë e opozitë) të sigurojnë me largpamësi mirë-qeverisjen e vendit.
Ky është mesazhi që qytetarët dhe shumë intelektualë në një mënyrë apo një tjetër i kanë përcjellë vazhdimisht politikës shqiptare këto dy vjet. Përkundër kësaj, politika mbetet më e ndjeshme ndaj anglishtes së Brukselit dhe nevojës për tu shpjeguar e justifikuar para BE-së, sesa ndaj shqipes së zgjedhësve të vet dhe detyrimit për llogaridhënie mbi qeverisjen e (pa)realizuar. Pavarësisht mesazhit të qartë, politika prej dy vitesh tashmë ndjek të njëjtën përqasje ndaj përgjegjësisë për qeverisjen dhe reformat e integrimit duke ofruar jo më shumë sesa retorikën boshe që justifikon vetëm interesat e ngushta të saj. Ajo çka thellësisht është dëmtuar ndërkohë është besimi i publikut, por edhe besimi i BE-së tek aftësia e politikës shqiptare për të vepruar përgjegjshmërisht e për të shndërruar konceptin teorik të qeverisjes në një praktikë funksionale e cila sheh përtej BE-së, drejt qytetarëve të vet dhe sfidave zhvillimore.
Procesi i integrimit europian, ashtu si shumë reforma thelbësore për zhvillimin e vendit këto dy vjet ka mbetur peng i papërgjegjshmërisë së politikës dhe paaftësisë së saj për të realizuar qeverisjen jo si mandat i ekzekutivit dhe maxhorancës politike në Kuvend por si detyrim i gjithë politikës, në maxhorancë e në opozitë, të mandatuar nga qytetarët për t’i përfaqësuar në institucione. Nëse angazhimet e mjegullta të politikës, të premtuara së fundi para Brukselit i referohen vetëm 12 prioriteteve të opinionit të KE thjesht për hir të marrjes së statusit atëherë edhe ky angazhim do të jetë jo më shumë sesa një tjetër ngjarje pa lajm për procesin e integrimit dhe ajo çka është më e rëndësishme, për qytetarët shqiptarë, qeverisjen dhe zhvillimin e vendit.
Në mungesë të një përqasje e cila reflekton përkushtim dhe respekt ndaj përgjegjshmërisë dhe detyrimit për të siguruar mirëqeverisje nga ana e politikës në pozitë e opozitë do të jetë i vështirë rikuperimi i besimit të qytetarëve tek të zgjedhurit e vet. Dhe po ashtu, edhe rrugëtimi drejt BE do të mbetej thjesht “rrugëtim”. Angazhimet e mjegullta të politikës për t’iu rikthyer normalitetit institucional për hir të Brukselit apo të statusit mbase mundet të sigurojnë realizimin e disa prioriteteve të Opinionit – miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, Avokatit të Popullit, Kodit zgjedhor etj. Por pas dy vitesh të kokëfortësisë intensive të politikës shqiptare, dyshoj se kjo do ta gënjejë Brukselin për t’i hedhur politikës një karrotë të re (statusin e vendit kandidat) për aq kohë sa politika e sheh qeverisjen si mandat të ekzekutivit ndërsa përgjegjshmërinë e llogaridhënien si diçka që ndodh një herë në katër vjet.
Është koha pra që politika më shumë sesa lojrat me “shkopa e karrota nga BE” të hedhë sytë nga qytetarët e vet dhe thirrja e tyre për të siguruar përgjegjshmërisht qeverisjen si një praktikë të pakthyeshme. Ky do të ishte i vetmi lajm me rëndësi për vendin sot, dhe i vetmi rrugëtim me vlera përtej çdo objektivi tjetër.


Add new comment