Shqip 3 Gusht 2010, Nga Mariola Qesaraku
Në vazhdën e aksidenteve dhe fatkeqësive që kohët e fundit po cënojnë në mënyrë konstante sigurinë njerëzore, me pasoja humbje te shumëfishta të jetës, mund të sjellim shembuj të shumte. Rastet variojnë që nga vrasjet me armë për shkak të konflikteve në familje e në komunitet, gjakmarrja, konflikte për pronën, vetëvrasjet, e deri tek humbja e jetës në vendin e punës apo nga pakujdesia ose neglizhenca e personelit mjekësor etj. Situata bëhet edhe më e rëndë kur flasim për rritjen marramendëse të aksidenteve automobilistike (numrin më të lartë në Europë), siç ishte rasti i fundit në Gjegjan ku humbën jetën 14 persona apo qindra aksidente nga mosrespektimi flagrant i ligjit të cilat mund të evitoheshin.
Statistikat vendore të INSTAT-it apo Policisë së Shtetit por edhe të organizatave ndërkombëtare si të Bankës Botërore dhe OBSH-së, vënë në dukje gjendjen kritike në të cilën ndodhet siguria njerëzore në Shqipëri (në 2009 humbën jetën në rrugë 334 persona, në vendin e punës 29 persona, nga krimi në familje 16 persona, për motiv pronësie 6 vrasje, për motive të dobëta 52 vrasje, për gjakmarrje 1 vrasje, etj). Këto të dhëna i përkasin vetëm atyre me pasojë vdekjen por nëse kemi parasysh personat e gjymtuar apo me pasoja të rënda për shëndetin, statistikat bëhen edhe më shqetësuese. Këto statistika tregojnë se humbjet njerëzore në Shqipëri janë të ngjashme me ato të një bilanci lufte.